Bahtiri dhe Rakiq zhvillojnë bisedë telefonike, koordinohen për parandalimin e koronavirusit në Mitrovicë

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin komunës së Mitrovicës Veriore Goran Rakiq.

Bahtiri dhe Rakiq, biseduan lidhur me situatën aktuale dhe masat parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19 në atë pjesë.

“Me këtë rast kryetari Bahtiri u njoftua se pas identifikimit të disa personave me koronavirus në pjesën veriore, dhe pas vendosjes në karantinë të Mitrovicës Veriore dhe Komunës së Zveçanit janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, dhe se janë duke e menaxhuar mjaft mirë këtë situatë “- njofton komuna e Mitrovicës.

I pari i Mitrovicës Jugore potencoi se është i gatshëm për bashkëpunim dhe t’iu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve në atë pjesë me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që posedon Komuna jonë.

“Kryetari Bahtiri dhe kryetari Rakiq u dakorduan të jenë bashkëpunues në menaxhimin e suksesshëm të situatës pas përhapjes së pandemisë në pjesën veriore, duke lënë anash politikën dhe të punojnë sa më shumë në parandalimin e këtij virusi si dhe njëkohësisht u bëjnë të thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin udhëzimet dhe rekomandimet nga institucionet përkatëse”.