Bahri Hyseni ‘kunkurron’ për kryesues të KPK-së

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka konkurruar për pozitën e kryesuesit të KPK-së.

Këtë e ka konfirmuar për kallxo.com, vetë Hyseni, i cili ka thënë se shpreson që të zgjedhet kryesues por se sipas tij kjo varet nga votat e anëtarëve të këtij institucioni.

“Po, kam konkurruar për kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Po shpresoj, por nuk besoj [të zgjedhem]. Është zgjedhje, do të shohim mandati i Këshilli Prokurorial a do të votojë apo jo, është çështje votash”, tha ai.

Hyseni shtoi se konsideron që eksperienca e tij e gjatë në KPK do të ndikojë që të jap kontributin e tij profesional, nëse merr pozitën e kryesuesit.

“Unë kam pasur angazhime vazhdimisht, unë kam qenë për një periudhë të gjatë anëtar i Këshillit. Prej vitit 2008 kam qenë në mandatin e dytë dhe konsideroj që për shkak të eksperiencës që e kam në sistemin e drejtësisë do të kontribuoj që të ketë transparencë, të ketë efikasitet, rritje të profesionalizmit dhe çështje të tjera me të cilat po ballafaqohemi”, tha ai.

Bahri Hyseni kishte qenë i përfshirë në aferën e përgjimeve “Pronto”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e 159-të me 24 dhjetor 2018, kishte njoftuar se është marrë vendim për paraqitjen e nominimeve për Kryesues të KPK-së, i cili ishte paraparë të bëhet nga data 26, 27 dhe 28 dhjetor 2018 sipas procedurave të parapara ligjore.