Spitali “Bahceci” ka reaguar me anë të një deklarate në lidhje me bastisjet dhe arrestimet nga Policia e Kosovës që kanë ndodhur në këtë spital më 17 maj.

Policia në këtë spital ka konfiskuar edhe materialet e gjetura si dëshmi për dyshimet e pretenduara.Spitali “Bahceci” nuk pranon pretendimet e paraqitura për dyshime dhe presin ditën kur do të dalë e vërteta.

“Duke u bazuar në një dyshim, Inspektorët e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë vendosur për të zhvendosur tanket tona të embrioneve në QKUK – KOGJ. Ky vendim, që nuk është i bazuar në dëshmi të forta për momentin, kanë vënë punonjësit tanë dhe pacientët në një pozitë shumë të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës zhvendosja e tankeve, që përmbajnë material shumë delikat që kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme nga personeli i specializuar, është një praktikë e papranueshme dhe jo ligjore nga pikëpamja e ekspertëve. “Sipas të gjitha rrethanave, përgjatë kësaj kohe, ne kemi qenë të kujdesshëm që të ofrojmë gjithë asistencën tonë të nevojshme, por nuk jemi në gjendje të ndërhyjmë arbitrarisht në punën e institucioneve publike që ushtrojnë përgjegjësi ligjore. Prandaj, edhe pse ne nuk pajtohemi me këtë proces, kemi qenë të detyruar dhe nuk kemi pasur mundësinë ta mirëmbajmë materialin në tanke apo të ndalojmë veprimet e institucioneve publike”, thuhet në deklaratë.

Si një investitor i huaj në Kosovë për afër 10 vite, “Bahceci” do të përdorë të gjitha të drejtat ligjore përmes mekanizmave të nevojshme vendore dhe ndërkombëtare për të kërkuar dëmshpërblim për çdo veprim të padrejtë dhe të paligjshëm të autoriteteve.

“Prioriteti ynë më i lartë është siguria dhe komoditeti i pacientëve tanë. Sikurse e cekëm më lart, ne i besojmë sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe shpresojmë se ajo do të shërbehet. I falënderojmë pacientët tanë dhe të afërmit e tyre për përkrahjen gjatë këtyre kohëve të vështira”, thuhet në deklaratën e Spitalit “Bahceci”.