Janë bërë 25 vjet nga “Beteja e Çabratit”, e cila u zhvillua më 7,8, dhe 9 maj të vitit 1999.
Njëri nga të mbijetuarit i Masakrës së Çabratit në emisionin “Kosova Today”, Ngadhenjim Bicurri, ka treguar më shumë për përjetimet e tij.
“Unë nuk kam qenë dëshmitarë në pushkatimin e familjarëve të mi dhe 23 burrave të tjerë. Unë kam qenë dëshmitarë deri në momentin kur na kanë nda dhe i kam shpëtu asaj ndarje”, tha fillimisht Bicurri.
Ai rrëfeu edhe si i kishte gjetur anëtarët e familjes pas pushkatimit.
“Unë humba babain Feratin dhe axhën e vogël Nexhdetin. Fillimisht na kanë mbajt gjallë shpresat se ata janë në burgje, por kur kam shkuar tek vendi i pushkatimit e kam gjetur këpucën e babait dhe një letër fletëpagesë që e ruaj ende që ka qenë e gjakosur. Në vitin 2005 kur kanë ardhë trupat kam vendos me hap trupin e babait tim, mungonte teshat dhe koka”, tha Bicurri.







