Babai nga Prishtina denoncon policin: Ma rrahu djalin 14-vjeç dhe e shau me robë

Prindi E.B., nga Prishtina, pretendon se djali i tij 14-vjeç është rrahur mbrëmë nga një polic. Rastin ai thotë se e ka paraqitur edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, teksa në një bisedë telefonike për Express ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Prindi E.B., (emër i njohur për redaksinë), tha se një polic ia ka rrahur djalin mbrëmë në Prishtinë, pasi paraprakisht i mituri ka bërë shaka se i ka me vete pesë gram bari (substancë narkotike). Për këtë, prindi thotë se polici fillimisht e ka mbështetë djalin për një kioske në rrugë dhe kur nuk i ka gjetur në xhepa sasi të substancës narkotike e ka goditur të miturin me shuplaka.

“Mbrëmë rreth orës 21:00 në Prishtinë, te OSBE-ja, djali ka qenë duke ecë me një shok dhe dy shoqe të veta dhe janë kanë duke bë shaka, ky paska folë me shokët e vetë por nuk i ka pa policinë, ju ka thënë shokëve të vet i kam pesë gram bari me vete. Polici ka qenë prapa tij e ka prek e ka ndal e ka shty për një kioskë edhe ja ka hi këmbëve e ka bastis, ja ka hallakat xhepat. Kur i ka thënë djali që ki kujdes qysh po sillesh se 14 vjet i kam, ja ka hi tri shuplaka edhe e ka shajt, ropt e sdi çka..”, tha E.B.

“Kur e kanë pa që s’ka kurgjë e kanë shty”, tha ai.

I pyetur nëse djali ka pësuar lëndime trupore, prindi tha se mbrëmë ka pas traumë por shenja dhune nuk ka.

“Djalin e kemi çu sot te mjeku për kontroll mbrëmë ka qenë i traumatizuar, ka pas dhimbje koke se e ka përplas për kioske, nuk ka shenja të dhunës. Mbrëmë i ka dhimtë koka e sot i ka kalu. Kem në ambulancë dhe na thanë që nuk lëshojmë raport se s’ka shenja të dhunës”, u shpreh ai më tej.

Prindi tha se sot kanë shkuar në polici me hap rastin por sipas tij policia nuk ka qenë e interesuar të hap rast. Prandaj tha se kanë ushtruar ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Vërejtja është për sjelljen e policit me një fëmi 14 vjeç dhe nuk kanë dashtë policia me hap rast, neglizhenca e stacionit policor “Qendra”. Sot e kemi bë ankësën në IPK”, përfundoi ai.