Policia e Kosovës të dielën arrestoi pesë persona që dyshohet se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë.
Një prej të arrestuarve është Ardian Gjuraj nga Peja.
Radio Evropa e Lirë ka arritur që të bisedojë me babin e Ardianit, Kujtim Qerkini i cili ka mohuar se djali i tij të ketë qenë i përfshirë në ndonjë veprim apo planifikim të veprave terroriste.
“Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka aty”, thotë Qerkini i cili jeton në Gjermani.
Qerkini u shpreh se nuk i njeh asnjë nga personat e tjerë të arrestuar në aksionin, në të cilin u arrestua djali i tij më 10 tetor.
Qerkini thotë se ka qenë i kënaqur me djalin e tij për të cilin thotë se ka praktikuar fenë si çdo mysliman tjetër.
“Ai fenë e mban si çdokush tjetër. Punon, vjen në shtëpi dhe asgjë nuk ka diçka që mund të them. E dinë Zoti, djali ka qenë shumë në rregull, duke punuar dhe duke u bërë prind”, thotë Qerkini./REL.







