Një vajzë nga Obiliqi është raportuar e zhdukur prej qershorit të vitit 2008. Asnjë informacion s’iu është dhënë familjarëve. Në kohën kur ishte larguar nga shtëpia, Nakshije Kodrolli kishte qenë 26 vjeçe. Policia dhe Prokuroria kanë dështuar ta zbardhin këtë rast. Babai i saj, Sabiti, kërkon ndihmën e të gjithëve për ta gjetur të bijën
Sabit Kodrolli, 68 vjeçar nga Obiliqi, s’ka lënë vend në Kosovë e Shqipëri pa e kërkuar të bijën e tij, Nakshijen, e humbur para njëmbëdhjetë vjetësh. Por, asnjë informacion s’e ka marrë se ku ndodhet vajza e tij.
Në një rrëfim për Gazetën Express, babai i vajzës së zhdukur thotë se po kërkon ndihmën e të gjithë njerëzve për ta gjetur vajzën.
“E kam kërkuar në gjithë Kosovën. Kam shku disa herë në Shqipëri dhe s’kemi gjetur asnjë gjurmë të vajzës”, thotë Sabiti teksa ende shpreson se një ditë do të marrë një njoftim për të bijën.
Nakshije Kodrolli, e lindur më 16 prill të vitit 1982 në Vushtrri, ishte lajmëruar si e zhdukur në stacionin e Policisë para 137 muajsh. Kishin nisur hetimet, por asnjë rezultat s’ka dalë prej tyre. Lënda është transferuar në Prokurorinë Themelore.
Familja Kodrolli thotë se institucionet e hetuesisë s’kanë bërë pothuajse asgjë për këtë rast.







