Spekulimet për një kthim në Spanjë kanë shpërthyer gjatë kohës së fundit për Neymarin, mirëpo ai duket se është i bindur që ta vazhdojë karrierën e tij në Francë me Paris Saint-Germainin.

Babai i Neymarit pretendon se djali i tij nuk dëshiron të largohet nga Paris Saint-Germaini, duke i këshilluar të flenë të qetë tifozët francezë pasi që asnjë transferim nuk do të ndodhë.

Që kur Neymari u transferua në “Parc des Princes” për 222 milionë euro, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në botë, e ardhmja e braziliani është vënë në dyshim vazhdimisht.

Megjithatë, Neymari ka një kontratë të gjatë në Paris dhe nuk dëshiron ta shkëpusë këtë kontratë, të paktën sipas Neymar Sr.

“Kontrata me PSG-në është e gjatë. Ne jemi vetëm në sezonin e dytë dhe asgjë s’ka marrë fund ende. Ne e kemi një kontratë, të së cilës nuk i kemi shkuar ende as deri në gjysmë”, është shprehur Neymar Sr.

“Spekulimet për largim do të vazhdojnë gjithmonë. Nuk mund ta kemi një lojtar si Neymari pa i pasur edhe ëndrrat e klubeve për të. Dëshira e Neymarit për të qenë në PSG ishte shprehur para dy vjetëve, kështu që tifozët mund të flenë të qetë”.

“Sot, Neymar nuk dëshiron të largohet nga PSG-ja, ai dëshiron të vazhdojë ta ndihmojë klubin francez për të fituar trofe”.

Neymari i fitoi tri trofe me PSG-në në sezon e tij të parë në Francë. Një lëndim ia kishte pamundësuar brazilianit të luante në një pjesë të madhe të sezonit të kaluar dhe e njëjta gjë po ndodh edhe këtë sezon.

Megjithatë, Neymari ka arritur t’i shënojë 48 gola në 53 paraqitje për PSG-në.