Babai i Kadri Veselit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, mjekët nuk guxojnë ta operojnë

Babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aktualisht, ai është duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë.

Burime të lajmi.net brenda spitalit, kanë thënë se gjendja shëndetësore e babait të Kadri Veselit, vazhdon të jetë e rëndë.

“Vazhdon me qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, është i palëvizshëm. Nuk guxojnë me e operu shkaku i gjendjes së rëndë”, ka thënë ky burim.

Së fundmi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, i është lejuar një vizitë 3-ditore në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Veselit i është lejuar vizita e babait të tij në spital, ku ka qenë i përcjellur nga pjesëtarë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Kadri Veseli nuk ishte lejuar të vizitonte shtëpinë e tij në Mitrovicë, e as banesën në Prishtinë, por ka qëndruar në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Sipas raportimeve, gjendja shëndetësore e babait të Kadri Veselit ishte përkeqësuar pas një sulmi në tru.