Babai i 18 vjeçares së vrarë në Ferizaj: Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi, vajza ishte e frikësuar

Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë për “Lajmet e Fundit” në RTK se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale.

Ai thotë se është shumë i tronditur me rastin, por pret që organet e rendit dhe ligjit ta zbardhin rastin dhe për ta kapur përsonin e dyshuar i cili, siç thotë ai, vajzës së tij i mori jetën.

Babai i 18 vjeçares lutet që ky rastet të jetë i fundit.

Ai apelon që prindërit të kenë kujdes dhe të përcjellin fëmijët e tyre se me kënd shoqërohen.

Osmani thotë se vajza ka jetuar afër dy muaj me të dyshuarin, por siç thotë ai, vajza e tij ka qenë në presion dhe është frikësuar ti tregoj familjes për dhunën që i ka ushtruar personi që tashmë është në arrati.

Ai shton se vazhdimisht e kanë pyetur, por 18 vjeçarja nuk ka treguar asgjë, sepse ka qenë në presion psikik.

Muhabi Osmani shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.

“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë te shqetësuar për këtë që më ka ndodhë”, ka thënë ai.