Babai e gjuajti nga shkëmbi se donte djalë, shpëton mrekullisht vogëlushja

Një burrë në Kinën jugore, i cili ishte i dëshpëruar pasi bashkëshortja e tij nuk po sillte në jetë një djalë, ka hedhur nga shkëmbi të bijën e sapo lindur.

Ai mori fëmijën gjashtë orë pasi kishte ardhur në jetë në spitalin e Gaozhou dhe përpara se ta lëshonte nga shkëmbi e të binte nëpër pyll, e vuri të voglën në një qese plasmasi.

Megjithatë, vajza arriti të mbijetonte 12 orë pasi u përplas në degët e pemëve dhe u gjet nga disa kalimtarë të rastit.

Policia nisi kërkimet për vajzën pas denoncimit që bëri mjeku duke qenë se nuk po e shikonte prej disa orësh të voglën pranë të ëmës dhe as në krevatin e foshnjave.

Dyshimet e para ranë mbi babanë e vajzës dhe ndaj tij nisën hetimet. Ai vetë e pranoi se e kishte futur të bijën në një qese plastike dhe më pas e kishte hedhur nga shkëmbi, me shpresën se ajo do të vdiste, duke qenë se nuk ishte djalë.

Sapo lokalizuan zonën, oficerët nisën kërkimet deri në shpëtimin e vogëlushes, e cila ende nuk ka një emër.