Azemi: Ngritja e pagës minimale është bërë “sa për sy e faqe”, humbësi më i madh do jetë Qeveria

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës e respekton ndryshimin e pagës minimale, por që e konsiderojnë “sa për sy e faqe”.

Kryetari i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi thotë se nga ky ndryshim humbjen më të madhe do ta ketë Qeveria.

“Realisht, është bërë një ndryshim sa për sy e faqe… Ne e përsërisim, paga prej 264 euro po të bisedohet është sikur të bisedohet për borën e parvjetit…të gjitha llogaritë i kemi bërë, humbësi më i madh në këtë rast, në rend të parë jemi ne si punëtorë, por nesër humbës më i madh sesa ne do të jetë Qeveria e Kosovës, sepse te këta punëtorë që paguhen me këtë pagë, janë vetëm punëtorë që paguhen nga buxheti i Kosovës”, deklaroi ai në Tëvë 1.

Ai bëri të ditur se nuk kanë kërkuar një takim me presidenten Vjosa Osmani, pasi për ta është nënçmim.

“Nuk kemi kërkuar takim me presidenten. Ne në vazhdimësi kemi njoftuar edhe presidenten për kërkesat tona, për hallet tona, por tani nuk e shohim të arsyeshme që të kërkojmë takim. Nëse atyre u nevojitemi, ne jemi të gatshëm, përndryshe të kërkosh takim me ta, më duket, fatkeqësisht, është nënçmim i Sindikatës, të kërkoj takim me ta”, potencoi Azemi.

Pavarësisht protestave të paralajmëruara, ai shtoi se sektori privat nuk do të marrë pjesë në asnjë rast.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale. Sipas tyre, kjo është paga më e ulët në rajon.

Paga minimale në vlerën prej 264 euro bruto është miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së kaluar.