Azemi: Nga janari 16 punëtor kanë vdekur në vendin e tyre të punës

“Nga 1 janari deri me 23 gusht kanë vdekur gjithsej 16 punëtorë në vendin e punës, kryesisht për shkak të neglizhencës së pronarëve të kompanive dhe të institucioneve tjera”, kështu tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai ka folur edhe për kushtet e punëtorëve në këtë sektor, arsyet e largimit nga Kosova, dhe kërkesat që ka kjo sindikatë ndaj Qeverisë së Kosovës.

I pari i sindikatave të sektorit privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se një numër i madh i të rinjve po largohen nga Kosova, duke marrë rrugën për vendet perëndimore për një jetë më të mirë. Dhe njëra nga arsyet kryesore sipas tij, është mostrajtimi dhe keqpërdorimi nga shteti dhe nga pronarët e kompanive.

“Arsyet kryesore janë sepse pronarët nuk i kanë trajtuar mirë, siç e obligon Ligji i Punës dhe marrëveshja kolektive. Mostrajtim ka bërë edhe shteti. Punëtorët nuk shohin sinjale pozitive në 2-3 vitet e ardhshme dhe se këtu nuk ka perspektivë”, tha Azemi.

Azemi ka treguar se në Kosovë është duke u vërejtur se ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar tash e disa vite dhe se pensionistët ende janë duke punuar.

Kreu i kësaj sindikate tha për Insajderin se institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar pozitën e këtij sektori në shoqëri, duke theksuar në veçanti mungesën e madhe të inspektorëve.

“Asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë që të ndryshojë pozitën e këtyre punëtorëve. Vetë fakti që nuk monitorohen dhe fakti që i ka 43-44 inspektorë që i mbikëqyrin Ligjin e Punës, marrëveshjen kolektive dhe Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë për mbi 200 mijë punëtorë, në mënyrë direket bëhet me dije se shteti nuk ka dashur që ta mbikëqyr si duhet këtë sektor”, u shpreh Azemi.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka disa kërkesa për pushtetin. Azemi kërkoi nga Qeveria Kurti që paga minimale të jetë 500 euro.

“Ne kërkojmë që paga minimale të jetë 500 euro, jo të jetë 250. Po ashtu, nënshkrimi i kontratës kolektive, duhet të bëhen ndryshime tek Ligji i Punës, respektimi i orarit të punës 40 orë në javë, përmirësimi i kushteve, shtimi i numrit të inspektorëve, në një farë forme këto i ka premtuar Kryeministri i Kosovës”, theksoi ai.

Intervista e plotë me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemin:

A ka mungesë të punëtorëve në sektorin privat në Kosovë?

Jusuf Azemi: Mungesa e punëtorëve të kualifikuar të  sektorit privat të Kosovës ka filluar qysh para pesë-gjashtë viteve, por në veçanti këtë vit është mungesë shumë e madhe. Vet fakti kur në shumë vende takojmë punëtorë që janë dalë në pension dhe punojnë, bëjnë me dije se ka mungesë të këtyre punëtorëve. Të gjitha takimet që kemi, qoftë në formë të organizuar dhe jo të organizuar, pronarët e kompanive kanë shqetësime për mungesën e punëtorëve.

Si janë kushtet e punës në sektorin privat në vendin tonë sipas jush?

Jusuf Azemi: Vetë fakti që brenda shtatë muajve na vdiqën 16 punëtorë edhe ata në moshën më të mirë, na u ka krijuar një helm që të bënë me dije se gjendja  e punëtorëve është e ruajtur vetëm nga dora e Zotit, përndryshe institucionet tona, inspekcioni, ministria përkatëse dhe Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë asgjë për këta punëtorë, vetëm duke vjelë kontributet, përndryshe asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë që të ndryshojë pozitën e këtyre punëtorëve. Vetë fakti që nuk monitorohen dhe fakti që i ka 43-44 inspektorë që i mbikëqyrin Ligjin e Punës, marrëveshjen kolektive dhe Ligjin mbi sigurinë dhe shendetin në punë për mbi 200 mijë punëtorë, në mënyrë direkte bëhet me dije se shteti nuk ka dashur që ta mbikëqyrë si duhet këtë sektor.

Si i vlerësoni shtesat e Qeverisë për punëtorët e sektorit privat? A mendoni se Qeveria ka bërë mjaftueshëm për këtë sektor?

Jusuf Azemi: Edhe qeveritë e kaluara edhe kjo qeveri nuk ka bërë asgjë. Disa herë ka pas nga një infuzion herë 50 euro, herë 100 euro, që në një farë forme nuk çon peshë ajo. Derisa në sektorin publik ka pasur benificione shumë të mëdha prej pandemisë, ndërsa punëtorët e sektorit privat është dashur me punuar pa ndërprerë dhe janë shumë ma të rrezikuar, sepse kanë punuar nëpër spitale dhe qendra familjare dhe ambulanca dhe nuk kanë qenë të stiumuluar. Sot mjekët dhe infermierët me të drejtë stimulohen me shumë simbolike, në të njëjtin objekt nuk stimulohen punëtorët Teknik dhe të sigurimit fizik. Me këtë bëhet me dije se ky shtet nuk ju ka qasë kësaj problematike serioze të këtyre punëtorëve dhe këta kanë mbet në një farë forme në sirtarë të shtetit.

Cilat janë kërkesat e SPSPK për Qeverinë e Kosovës?

Jusuf Azemi: Në në rend të parë kërkesa janë ato të cilat kryeministri me qeveritarët kanë proklamuar gjatë fushatës zgjedhore, por mos të harrojmë që ne kërkojmë që paga minimale të jetë 500 euro, jo të jetë 250. Po ashtu, nënshkrimi i kontratës kolektive, për të cilën nuk e di qysh një shtet demokratik mundet me funksionuar e të mos ketë marrëveshje kolektive. Duhet të bëhen ndryshime tek Ligji i Punës, respektimi i orarit të punës 40 orë në javë, në një farë forme ka premtuar Kryeministri i Kosovës, përmirësimi i kushteve, shtimi i numrit të inspektorëve. Të gjitha këto që po I përmendi kryeministri Kurti ka premtuar se do t’i realizojë por deri më tani nuk i ka realizuar. Paga duhet me qenë 250 euro. Me këto çmime që janë rritë me këtë inflacion nuk mund të mbijetohet.

Dy ditë më parë vdiq një 28 vjeçar i cili ra nga objekti ku po punonte. Sa është numri i vdekjeve në vendin e punës në sektorin privat?

Jusuf Azemi: Fatkeqësisht ky numër është 16 i punëtorëve të sektorit privat që kanë vdek që nga 1 janari deri në ditën e djeshme. Pardje na vdiq një djalë 28-vjeçar në lulen e rinisë për shkak të neglizhencës së pronarit të kompanisë dhe të institucioneve tjera. Unë isha në varrim të atij djalit dhe ja bana vetit një pyetje: A thua a kanë shpirt këta njerëz kur e shohin dhe e varrosin një 28 vjeçarë dhe çka shteti përfiton kur e varrosë një 29 vjeçar. Jeta e punëtorëve varet vetëm nga dora e Zotit, përndryshe institucionet nuk po e kryejnë detyrën e vet.

Sa dallon numri i vdekjeve gjatë këtij viti, në krahasim me vitet e kaluara?

Jusuf Azemi: Në vitin 2018 kanë ndodhur 27 raste të vdekjeve, në vitin 2019 17 raste, në vitin 2020 i kemi pas 15 raste, në vitin 2021 i kemi 14 raste dhe tani në vitin 2022 i kemi 16 raste dhe nëse vazhdon ky trend, ky vit do të jetë më tragjik për punëtorët e sektorit privat.

Cilat mendoni se janë faktorët kryesorë që punëtorët po largohen nga Kosova?

Jusuf Azemi: Arsyet kryesore janë sepse pronarët nuk i kanë trajtuar mirë, siç e obligon Ligji i Punës dhe marrëveshja kolektive. Mostrajtim ka bërë edhe shteti, ne veçanërisht kemi bërë shumë ankesa tek Qeveria e Kosovës për keqpërdorimet e pronarëve të kompanive në raport me punëtorët, ndaj të cilëve nuk është ndërmarrë asgjë. Sot nëse i ofrohet 1 mijë euro pagë punëtoreve e kanë humbur besimin tek institucionet e kanë humbur besimin tek pronarët e kompanive, nuk besojnë se do të ketë sinjale pozitive dhe në shumicën  e rasteve në bisedat që i bëjmë tregojnë se nuk shohin sinjale pozitive në 2-3 vitet e ardhshme dhe se këtu nuk ka perspektivë.