Azem Syla para gjyqit për rastin “Toka”

Sot pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Kujtojmë se Syla është duke u mbrojtur në liri pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka ndërprerë atij masën e arrestit shtëpiak, për shkak që Prokuroria nuk ka bërë propozim për zgjatjen e kësaj mase.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Ky rast është duke u gjykuar nga gjykatësi, Beqir Kalludra, ndërsa aktakuza ishte ngritur nga Prokurori i EULEX-it, Danillo Ceccarelli, ndërsa tani është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.