Historiani Azdren Shala ka thënë që është në pikëpyetje mbështetja që do të marrë Lëvizja Vetëvendosje me hapjen e Qendrës në një vend siç është Shqipëria.
“Problemi kryesor i iniciativës së VV-së për bashkimin kombëtar është se sa do të ketë përkrahje në një terren problematik si Shqipëria. Gjithashtu problemin e kam me aletatët që i ka zgjedhur Vetëvendosje për aktin e bashkimit kombëtar dmth ka rrëshqitur prej propozimit të tyre”.
Shala në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë që megjithëse Vetëvendosje ka kontradikta ideologjike, kreu i saj, Albin Kurti është personi i duhur për kauzën e bashkimit kombëtar.
“Albin Kurti shihet si figurë premtuese në këtë drejtim dhe është personi më karizmatik dhe bindës për këtë kauzë. Por problemi kryesor është te mjetet me të cilat mundohet të arrijë qëllimin dhe aletatët i kanë problematikë. Të fillosh me kartën e bashkimit kombëtar dhe të jesh palë e një partie në Shqipëri nuk i kontribuon VV-së pasi ka afërsi të çuditshme me PD-në e Sali Berishës të cilën nuk e kuptoj”.
“Pra të bëhesh palë me një konflikt politik nuk i kontribuon por e pengon këtë proces”, ka thënë Shala.
“Vetëvendosje nga mllefi që e ka për Edi Ramën që nuk po i shkon për shtati ka bërë që të marrë një pozicion pro Sali Berishës. Tash pretendon bashkimin kombëtar me një bashkëpunim të ngushtë me Ilir Metën dhe Sali Berishën i cili nuk është serioz”.







