Ftesa për intervistim

Axha i Remzi Shalës: Ai nuk do t’i përgjigjet Gjykatës Speciale, sepse e keqtrajtuan

Emri i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, u konfirmua të martën, se bën pjesë në listën e personave të parë që janë ftuar për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë.

Ballkani.info raportoi mbrëmë se Remzi Shala ka bërë të ditur që nuk do t’i bindet urdhrit për t’u paraqitur në Hagë më 17 janar të vitit 2019.

Shala është larguar nga shtëpia e tij, në Shirokë të Suharekës.

Axha i tij, Muhamet Shala, ka treguar arsyen se pse, sipas tij, nipi i tij, Remzi Shala, ka braktisur shtëpinë dhe familjen e tij.

Muhamet Shala ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se Remzi Shalës ftesa nga Gjykata Speciale i ka ardhur më 6 dhjetor, rreth orës 16:30.

“Dy persona e kanë marrë, e kanë çuar në një vend të panjohur”, ka bërë të ditur Muhamet Shala.

“Me dhunë e kanë marrë, meqë ju ka thënë se nuk e njoh Gjykatën. Me dhunë e kanë detyruar ta nënshkruajë ftesën”, ka treguar axha i Remzi Shalës.

“Ai e ka ndier veten të frikësuar, të kërcënuar, për atë arsye nuk do që t’i përgjigjet kësaj gjykate”, është shprehur ai.

“Ftesën e ka sjellë një gjerman… me emër nuk ma merr mendja që ishte gjerman. Dhe një kinez. Është prezantuar si polic i EULEX-it”, ka thënë Muhamet Shala.

“Ia kanë ngjitur për krahu, dhe e kanë futur në një xhip. Xhipi ka qenë i zi, me targa civile, të Prishtinës, 01, dhe e kanë çuar në drejtim të panjohur”, ka theksuar ai.

Muhamet Shala

“Djali i tij i është vënë pas xhipit, deri te vendi ku janë ndaluar, ku e kanë detyruar ta nënshkruajë letrën. Djali na ka thënë: babën ma kanë rrëmbyer dikush”, ka bërë të ditur axha i Remzi Shalës.

Muhamet Shala ka thënë se menjëherë pasi ka biseduar me djalin e Remzi Shalës, ka njoftuar avokatin e këtij të fundit.

“Kam njoftuar avokatin e tij. Ka ardhur avokati, kemi shkuar deri te ai vend. Kur kemi mbërritur me avokatin, ai veç është tërheqë. E kanë sjellë Remziun deri te dyert këtu”, ka bërë të ditur ai.

“Ai ishte tepër i frikuar. Prej asaj nate ka dalë nga shtëpia dhe s’e dimë ku është”, ka thënë Muhamet Shala.

Sipas tij, Remzi Shala “nuk ka besim ndaj kësaj gjykate. Është frikuar nga mënyra se si i është dorëzuar ftesa”.

Muhamet Shala ka thënë se ajo që i ka ndodhur Remzi Shalës ishte “kidnapim”.

Axha i Remzi Shalës ka thënë se nipi i tij pak orë pasi ka marrë thirrjen për t’iu paraqitur Gjykatës Speciale, “ka dalë prej shtëpie”.

“Është përshëndetur me gruan, me fëmijët e tij. Ka thënë se nuk dorëzohet dhe se nuk i përgjigjet kësaj gjykate”, ka treguar Muhamet Shala.

Ai ka thënë se nuk e di askush se ku ndodhet Remzi Shala. “Nuk e dimë ku është. Edhe ne jemi të shqetësuar”, është shprehur ai.