AVONET: Qeveria po tenton të krijojë një sistem ku askush s’mund të mbajë grevë

Organizata joqeveritare “AVONET”, ka thënë se Qeveria po mundohet të krijojë një sistem ku askush nuk mund të grevojë.

Duke shprehur shqetësimin për mosekzekutimin e pagave të shtatorit për mësimdhënësit, kjo organizatë përmes një komunikate për media, të mërkurën, e ka quajtur selektimin e vetëm kësaj kategorie, një tendencë të Qeverisë për ta ndëshkuar atë.

“Kjo Qeveri po mundohet që të krijoj një sistem ku askush nuk mund të grevojë dhe paraqet paralajmërim edhe për sindikatat tjera të punëtorëve, duke tentuar të krijojë një sistem ku askush nuk mund të shprehë pakënaqësi sepse pasojnë ndëshkimet. Ky veprim i Qeverisë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe për qëllim ka shtypjen e sindikatave, ku punëtorët nuk do të mund më t’i shprehin pakënaqësitë. E drejta për grevë është e drejtë e njeriut, është e drejtë e garantuar edhe me Konventa Ndërkombëtare dhe si e tillë nuk mund të mohohet”, thuhet në komunikatë.

Sipas AVONET, qasja e Qeverisë për të mos i paguar mësimdhënësit e rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre financiare dhe ekonomike.

“Përveç mohimit të pagës, kjo kategori tashmë qe një muaj është përballur edhe nga sulme dhe linçime të ndryshme, duke i ofenduar në masë ekstreme, madje edhe duke i quajtur analfabet dhe të paaftë, çka për AVONET konsiderohet e papranueshme. Sot, me 5 tetor, në ditën ndërkombëtare të mësuesit, kjo Qeveri ua dha goditjen e fundit, duke mos i paguar ata”, thuhet më tej në reagim.

AVONET kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta ekzekutojë pagesën për mësimdhënësit, duke ju rikujtuar se në bazë të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetqeverisje Lokale, konkretisht neni 17, ku janë të përcaktuara Kompetencat Vetanake, Komuna e ka përgjegjësinë për pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve të arsimit.

Greva e përgjithshme në sektorin publik të Kosovës është zhvilluar nga 25 gushti e deri më 1 tetor kur u pezullua nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Vendimi për pezullim është marrë me shumicë votash të grevistëve, të cilët kanë marrë pjesë në një votim për vazhdimin ose pezullimin e grevës. Pezullimi i grevës do të jetë i vlefshëm deri më 1 janar të vitit 2023.

Pagat e mësimdhënësve për muajin shtator nuk janë ekzekutuar, derisa Ministria e Financave për këtë është thirrur në zbatim të Ligjit për Greva, neni 18.