Avokati tregon se pse Rilind Berisha u ftua nga Gjykata Speciale

Besnik Berisha i cili është avokat i Rilind Berishës, ka sqaruar për opinionin lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale për klientin e tij.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se, Rilind Berisha nuk është ftuar e as marrë në pyetje nga Prokurori i Specializuar për asnjë shkelje ligjore, e as për rrjedhën e informacionit në mënyrë të jashtëligjshme, siç është raportuar në media.

“Intervistimi i Berishës nga Prokurori i Specializuar është bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe ekskluzivisht lidhet me fushëveprimtarinë e zyrës që koordinon procesin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të jenë të akuzuar potencial nga Dhomat Specializuara”, ka thënë avokati.

Sipas tij, Rilind Berisha i ka përmbushur detyrimin e tij qytetar për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorit të Specializuar dhe njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, nëse veç paraqitet ndonjë kërkesë e tillë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se ditë më parë vetë Berisha përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar se ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

loading…