Avokati: Sylejman Selimi po mbahet në burg pa vendim gjyqësor

Avokati Arianit Koci ka thënë se s’mund të ketë asnjë shpjegim racional se pse një njeri mbahet në burg pa vendim gjyqësor. Ka thënë se gjithë mbajtja e tij në burg po bëhet mbi një padrejtësi e cila po bëhet në emër të drejtësisë.

“Padrejtësia më e madhe është ajo e cila bëhet në emër të drejtësisë!Duke shtjelluar të drejtën në gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme në rastin e Sylejman Selimit, më bren ndërgjegja profesionale për pothuajse çdo gjë që paraqitet si fenomen në këtë rast”, ka shkruar Koci, në një reagim në Fb.

Sylejman Selimi ka shkruar një letër me të cilën ka vendosur të mos ketë më avokat. Ka thënë se në moslirimin e tij ka ndikim politika. Nuk ka dhënë emra dhe as nuk ka aluduar në ndonjërin prej udhëheqësve të Shtetit, qoftë Presidentin apo Kryeministrin.
Sidoqoftë, Koci ka thënë se s’ka shpjegim juridik me atë që po i bëhet ish-Shefit të UÇK’së.

“Nuk mund të ketë shpjegim racional e profesional fakti që Z.Selimi po mbahet në burg pa vendim gjyqësor. Arsyetimet e përdorura për moslirimin e tij nuk zënë vend në diskursin juridik. Këto veprime eksperimentale e rrënojnë tërësisht kredibilitetin e gjyqësorit”, ka shkruar ai.