Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Stojkoviq e pati paralajmëruar një ditë më herët se do të shkojë të vendosë lule te varri i 7-vjeçares e cila u vra krah anëtarëve të tjerë të familjes Jashari nga forcat e armatosura serbe në vitin 1998.

Stojkoviq ka shkruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar “që të tregojnë se në Serbi ekziston një rregull i ri anti-evropian, anti-civilizim dhe vandal, sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg”.

Sanduloviq ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.