Avokati Dastid Pallaska thotë se Qeveria nuk mund të ndalojë lëvizjen e qytetarëve në nivel vendi, me një vendim të saj. Sipas tij, këso ndalesa mound të bëhen vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën e voton Kuvendi. Pallaska tutje shpjegon se cfarë kompetencash ka Presidenti në gjendje të jashtëzakonshme.
Avokati ka shkruar se ‘Qeveria ka të drejtë të ndalojë qarkullimin vetëm në rrethanat kur pandemia është e kufizuar në një zonë të caktuar apo vetëm një zonë e caktuar është e rrezikuar nga pandemia”.
Sipas tij, në momentin që pandemia përhapet në gjithë vendin, kërkohet nga Kuvendi shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme.
Pallaska shpjegon se me shpalljen e gjendjes së jashtëzkonshme, nuk i kalojnë kompetencat ekzekutive presidentit Hashim Thaci. Presidenti i kryeson mbledhjet e Këshillit të Sigurisë në situatë të tillë, po avokati thotë se ai nuk ka rol vendimmarrës, e Këshilli ka shumë anëtarë qeveritarë, rrjedhimisht Qeveria vazhdon t’i ketë kapacitetet vendimmarrëse.
Shkrimi i plotë:
Dy shpjegime kushtetuese dhe një këshillë
1. Ndalimi i qarkullimit në zona të caktuara nga Qeveria kundrejtë kufizimit të lirisë së lëvizjes në nivel vendi nga Kuvendi
Duke marrë parasysh hutinë e përgjithshme të shkaktuar mbrëmë vonë nga veprimet e papërgjegjshme të Kryeministrit dhe Presidentit në lidhje me kufizimin e lirisë së lëvizjes nga Qeveria në nivel vendi, është e nevojshme që të shpjegohet shkurtimisht dallimi ndërmjet “ndalimit të qarkullimit në një zonë të infektuar apo që rrezikohet të infektohet,” që mund të urdhërohet nga Qeveria, dhe kufizimit të përgjithshëm të lirisë së lëvizjes, që mund të vendoset vetëm nga Kuvendi.
Qeveria ka të drejtë të ndalojë qarkullimin vetëm në rrethanat kur pandemia është e kufizuar në një zonë të caktuar apo vetëm një zonë e caktuar është e rrezikuar nga pandemia. Në momentin kur pandemia kaplon gjithë vendin dhe liria e lëvizjes duhet të kufizohet në të gjithë vendin, kërkohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga Kuvendi me votën e 2/3 të të gjithë deputetëve. Kjo për shkak se vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund të kufizohet liria e lëvizjes në nivel vendi.
Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme nga Kuvendi është e domosdoshme pasi që dekreti me të cilin vendoset gjendja e jashtëzakonshme dhe kufizohen disa të drejta dhe liri kushtetuese duhet të ketë përmbajtjen dhe formën e një ligji, ku qartë përcaktohen të drejtat dhe liritë e kufizuara në proporcion me rrezikun dhe përjashtimet e aplikueshme. Është thjeshtë e pamjaftueshme që kjo çështje të trajtohet në katër paragrafë, siç ka bërë Qeveria në këtë rast.
Mungesa e trajtimit serioz të kësaj çështje nga Qeveria ka rezultuar me një situatë paradoksale ku me vendimin e Qeverisë efektivisht është ndaluar edhe puna e institucioneve kushtetuese në vend, përfshirë edhe Kuvendin që ka për detyrë të mbikëqyrë punën e Qeverisë. Edhe puna e mediave është kufizuar nga përmbajtja e përgjithësuar dhe absolute e vendimit të Qeverisë.
2. Pushteti ekzekutiv gjatë gjendjes së jashtëzakonshme
Është e pavërtetë se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme Presidenti merr pushtetin ekzekutiv nga Qeveria. Përkundrazi, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme ligjet në fuqi kërkojnë mobilizim, unitet dhe bashkëpunim nga i gjithë spektri institucional i vendit.
Pra, ligjet kërkojnë bashkëpunim ndërmjet Presidentit dhe Qeverisë në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo për shkak se – përderisa Qeveria është përgjegjëse për qeverisjen e vendit – Presidenti është komandant suprem i Forcës së Sigurisë, e cila mund të mobilizohet dhe përdoret gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Pikërisht për këtë arsye, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Presidneti dhe Qeveria veprojnë së bashku në kuadër të Këshillit të Sigurisë, gjithnjë brenda kompetencave të tyre origjinale kushtetuese.
Parimi i njëjtë zbatohet edhe për akterët tjerë institucional të cilët marrin pjesë në takimet e Këshillit të Sigurisë me qëlim të bashkërendimit të veprimit institucional në ballafaqim me krizën për shkak të së cilës është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Edhe pse Presidenti e ka të drejtën formale të kryesimit të takimeve të Këshillit të Sigurisë, Presidenti nuk ka kapacitet vendim-marrës, më vete, brenda Këshillit të Sigurisë. Në fakt, vendimet vazhdojnë të merren nga Qeveria pasi që Qeveria përbën pjesën dërmuese të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë.
Kjo do të thotë se e gjithë kjo rrëmujë kushtetuese është bërë vetëm për shkak të garës së pakuptimtë ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit se kush duhet t’i kryesoj takimet e Këshillit të Sigurisë, edhe pse ky funksion nuk ka asnjë peshë me rëndësi juridike apo kushtetuese.
Këta dy njerëz, me protagonizmin e tyre të shfrenuar, jo vetëm që po e rrezikojnë shëndetin publik por edhe po e kërcënojnë sigurinë publike, duke mbjellur farën e keqe të përqarjes që mund të sjellë trazira.
3. Qëndroni në shtëpi dhe dëgjoni këshillat e institucioneve të pavarura shëndetësore
Deri në qartësimin e kësaj rrëmuje nga Gjykata Kushtetuese, është me rëndësi që të gjithë të rrijmë në shtëpi duke u kujdesur për shëndetin tonë.
Nevoja për vetë-diciplinë kurrë nuk ka qenë më e madhe duke marrë parasysh faktin se udhëheqësit institucional të këtij vendi kanë prioritete tjera.







