Avokati i Qeverisë dhe Vetëvendosja përplasen, ndërhyn kryetarja e Kushtetueses

Përfaqësuesi ligjor i Qeverisë së Kosovës, Besnik Berisha në seancën e sotme dëgjimore në Gjykatë Kushtetuese ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke e sfiduar vendimin e Gjykatës për deputetin Etem Arifi.

“Duket se çështja e z.Arifi nëse kishte apo jo mandat legjitim kushtetues dhe ligjor tashmë nuk është subjekt, pasi që ata pranojnë që z.Arifi është certifikuar nga KQZ-ja. Vendimi që këta i referohen është një legjislature më parë. Unë krijova përshtypje që këta sfidojnë vendimin e Gjykatës, që nuk ia ka ndaluar z.Arifi të drejtën për t’u zgjedhur”, ka thënë avokati Besnik Berisha.

Këtu ka ndërhyrë përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, duke thënë se është e papranueshme ajo që thotë Berisha.

“E nderuar kryetare e Gjykatës, problem është që është e papranueshme për mua që të keqpërdorën. Dua të them ato që i thotë përfaqësuesi i qeverisë unë nuk i kam thënë”, ka thënë Sallahu.

Megjithatë, deklarimin e përfaqësuesit të LVV-së e ka ndalur kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi.

Ajo ia ka sqaruar pjesëmarrëseve se nuk mund të ndërhyjnë derisa tjetri është duke u deklaruar sepse është rregull e Gjykatës.

“Më fal z.Sallahu do të keni kohën tuaj që të deklaroheni, ju kemi ndalë mikrofonin, rregull është që nuk mund t’i bëni pyetje dikujt tjetër, është koha e Qeverisë së Kosovës, pasi që t’i përfundojnë të gjithë, secili mund të komentojë. Nëse nuk keni ndonjë problem teknik, atëherë nuk ka të drejtë askush të ndërhyjë, secili e ka mundësinë e barabartë me ndërhy në kohë”, ka thënë kryetarja e GJk-së.