Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Klinika e Psikiatrisë pa kushte për trajtim adekuat të pacientëve

Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës ka bërë një vizitë në në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës prej nga u njoftua për mënyrën e trajtimit të këtyre pacientëve.

“MKPT u njoftua se pacientët në përgjithësi sillen në UKIP nga familjarët ose policia dhe janë pacientë të cilët akomodohen pa vullnetin e tyre. MKPT ka vërejtur se gjykata kompetente nuk njoftohet për pranimin e pacientit për trajtim të pavullnetshëm, ashtu siç parashihet në nenin 22 dhe 23 të Ligjit për Shëndetin Mendorë. MKPT vëren se kjo dispozitë qartazi e obligon institucionin shëndetësor që në raste të pranimit të pacientit për trajtim të pavullnetshëm të njoftojë gjykatën kompetente për procedime të mëtejme” thuhet në raport.

Sipas raportit nga Avokati i Popullit raportet mes personelit e pacientëve janë të kënaqshme ndërsa kushtet në Klinikë nuk janë më të mirat.

“MKPT nuk ka pranuar nga pacientët asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo sjellje të personelit e cila do të fyente dinjitetin e pacientit. Kushtet materiale në Klinikën Psikiatrike në përgjithësi nuk janë të mira. Dhomat e pacientëve janë të mëdha, me nga dy dhe tre shtretër, kishin dritë të mjaftueshme, dritaret mund të hapen. Orenditë (dollapët për rroba) ishin të gjitha pothuajse të dëmtuara, muret e lyera por tashmë të vjetërsuara, ka 6 vite që nuk ka pasur renovime, ndërsa ujë të ngrohtë ka kohë pas kohe. MKPT ka vërejtur se nuk ka piktura në mure, nuk ka komodina për gjërat personale, tualeti nuk ka derë që mbyllet. Pastrimi bëhet nga kompanitë private por dukej se nuk ishte i kënaqshëm dhe vërejtje për këtë kishte edhe nga personeli.” thuhet në raport.

MKPT konsideron se duhet të ndërmerren masa për krijimin e një mjedisi sa më familjarë dhe terapeutik si dhe të duhet të bëhen renovime sa më shpejtë që është e mundur. Sipas tyre aktivitetet në përgjithësi  janë të zbehta dhe rutinore dhe se nuk ka një plan të individualizuar të trajtimit me përfshirje të pacientit dhe nuk ka një përfshirje në një rang më optimal të aktiviteteve terapeutike, rehabilituese dhe rekreacionale.

“ Klinika Psikiatrike nuk kanë punëtor social, shpesh mungon ekipi multidiciplinorë sidomos në repartin UKIP. MKPT konsideron se është thelbësore të zhvillohet një numër më i madh dhe më i larmishëm i aktiviteteve rehabilituese, psikosociale dhe okupacionale që do ndihmonin në shtimin e shkathtësive të tyre për një jetë të pavarur.Është evidente se trajtimi kryesor është ai psikofarmakologjik. Përdorimi i medikamenteve antipsikotike, antidepresive dhe anksiolitike nga ekzaminimi i disa dosjeve mjekësore duket se është i arsyeshëm dhe i bazuar në evidenca” thuhet në raport.

Në raport u tha se kishte edhe mungesa të materialeve shpenzuese dhe te barnave.Sa i përket informimit të pacientëve me të drejtat e tyre, MKPT ka vërejtur se Karta e të drejtave të pacientëve ishte e vendosur në kuzhinë. Broshurat informuese janë harxhuar dhe Klinika Psikiatrike nuk ka mjete për të shtypur ekzemplarë të tjerë. Zakonisht pacientët i njoftojnë gojarisht me të drejtat e tyre.

“MKPT konsideron se autoritetet relevante duhet të plotësojnë kriterin ligjor të përcaktuar në nenin 6 paragrafi 1.5 të Ligjit për Shëndetin Mendor i cili përcakton se një nga të drejtat e personave me çrregullime mendore është e drejta për të qenë i informuar për të drejtat e tij. Klinika Psikiatrike nuk ka ndonjë udhërrëfyes të posaçëm për parandalimin e vetëvrasjeve dhe ndonjë plan parandalues specifik. MKPT konsideron se është e nevojshme të hartohet një udhërrëfyes i qartë i cili me efektivitet do të ndihmojë në identifikimin e rasteve me tendenca suicidale, hartimin e një skeme observimi të veçantë me mbështetjen imediate psikologjike/psikiatrike” thuhet në raport.