Naim Qelaj

Avokati i Popullit: Gjendja e punëtorëve jo e mirë, autoritetet t’i përmbushin obligimet ligjore

Mungesa e sigurisë në punë, diskriminimi në vendin e punës, stërzgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës e mungesa e plotë e kornizës ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë janë disa nga sfidat me të cilat sipas Avokatit të Popullit Naim Qelaj, përballen punëtorët në Kosovë.

Në një deklaratë të lëshuar me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, Qelaj ka theksuar se gjendja e punëtorëve në vend është jo e mirë.

Sipas tij për përmirësim të gjendjes duhet angazhim i të gjithë sektorëve.

“Avokati i Popullit, duke parë rastet e shpeshta të aksidenteve në vendin e punës, me pasoja deri në fatalitet, e në veçanti në sektorin e ndërtimit, fton autoritetet publike përgjegjëse për zbatimin e ligjit, që t’i përmbushin obligimet ligjore që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në punë për të punësuarit, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Tutje thuhet se ka parregullsitë në fushën e ligjit të punës dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, ku numri më i madh i rasteve sipas Avokatit të Popullit, ka të bëjë me diskriminimin. “Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, rastet e diskriminimit në vendin e punës ende raportohen shumë rrallë te mekanizmat mbrojtës, për shkak se punëtorët kanë frikë t’i raportojnë”, thuhet në reagim.

Një sfidë tjetër serioze sipas reagimit të Qelajt është stërzgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës që thuhet, se mbetet si pengesë për funksionimin e zbatimit të ligjit të punës sa i përket mbrojtjes gjyqësore të të drejtave.

“Po ashtu, Avokati i popullit ndër vite ka qenë i angazhuar në diskutime për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe punës së denjë nga perspektiva e standardeve të ndjeshme gjinore. Avokati i Popullit thekson se korniza ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është e plotë dhe nuk siguron mbrojtjen e të punësuarve nga aksidentet dhe dëmtimin e shëndetit në punë. Po ashtu, duhet bërë më shumë që legjislacioni të sigurojë mjaftueshëm përgjegjësitë dhe detyrimet për punë të dinjitetshme”, thuhet në reagim.