Avokati i Popullit e konteston Ligjin e pagave për sektorët ku pati ulje

Avokati i Popullit ka njoftuar se Ligjin për Paga e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pas ankesave nga 104 subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat kanë të bëjnë me ulje pagash, heqje shtesash apo trajtim joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Në ankesën e publikuar të premten, Avokati i Popullit ka thënë se këtë ligj nuk e konteston në shtojcat ku për sektorë të caktuar ka pasur rritje pagash.

Në njoftimin e publikuar, Avokati i Popullit ka numëruar shtojcat për të cilat ka thënë se s’janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe frymën e aktgjykimit të vitit 2019, me të cilin Kushtetuesja pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për paga, në kohën kur qe hartuar për herën e parë.

Avokati i Popullit ka thënë se Ligji që hyri në fuqi më 5 shkurt 2023, është zhvilluar në një “proces jotransparent” dhe nuk bart frymën e aktgjykimit të 2019-s, në kuptimin e “parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik”.

“Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese.