Avokati i njohur kosovar, Burim Halili, ka ndarë një mesazh vlerësimi dhe respekti për Ajvaz Berishën, të njohur gjatë luftës çlirimtare me nofkën “Komandant Tigri”.
Përmes një postimi publik, Halili ka theksuar se ka qenë kënaqësi dhe privilegj i veçantë t’i ofrojë shërbime profesionale një personaliteti me kontribut të madh për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Ishte kënaqësi dhe nder t’i shërbej Ajvaz Berisha, i njohur në kohën e kontributit për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit tonë me nofkën ‘Komandant Tigri’”, ka shkruar Halili.
Ai ka rikujtuar se Ajvaz Berisha ka qenë komandant i Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në periudhën e çlirimit të vendit.
Po ashtu, Halili ka vlerësuar edhe angazhimin profesional dhe diplomatik të Berishës pas luftës, duke theksuar se ai është profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe ka shërbyer edhe si konsull i përgjithshëm i Kosovës në Gjermani.
“T’i shërbesh një klienti me një background të tillë është nder dhe privilegj i veçantë. Faleminderit për besimin, ‘Komandant Tigri’”, përfundon postimi i avokatit Halili.







