Avokati i familjes së të moshuarës në Pejë: Ajo u përvëlua në këmbë brenda shtëpisë “Orenda”

Në nëntor të këtij viti qytetarët e vendit u tronditën nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ku një infermiere sulmoi fizikisht një grua të moshuar.

E avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, bëri të ditur se sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e moshuara është djegur-përvëluar në këmbë brenda shtëpisë “Orenda”.

Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se për plagën në shputën e këmbës së të moshuarës, që nga fillimi kanë dyshuar që është djegie, por siç potencoi ai, është kundërshtuar nga “Orenda”.

Sipas Selimajt, nga shtëpia e të moshuarve është mohuar një gjë e tillë, duke thënë se e moshuara ka sëmundje dhe se nuk është djegie.

KosovaPress kontaktoi shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë për këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Gjykata Supreme, më 25 nëntor i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur sulmi i është hequr licenca.