Ish-kryeministri

Avokatët e Berishës braktisin seancën, GJKKO cakton Artan Simonin të mbrojë ish-kryeministrin

Gjyata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar avokat shteti për të mbrojtur ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi dy përfaqësuesit e tij ligjorë kanë braktisur seancën.

Dy avokatët e ish-kryeministit Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol mëngjesi, kanë braktisur seancën gjyqësore me pretendimin se pasi Gjykata nuk ka kërkuar kërkesën e tyre për dërgimi për shqyrtim të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Pas kësaj GJKKO ka vendosur të caktojë Artan Simonin si avokat për të mbrojtur ish-kryeministrin berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në privatizimin e ish-klubit Partiznai.

Seanca është shtyrë për dy orë, që avokati të njihet me aktet.

Njoftimi:

– Në datën 25.10.2023, ora 14.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

– Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e tij, të zgjedhur me prokurë të posaçme, av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj.

– Nga ana e mbrojtësve u parashtruan 2 kërkesa, e konkretisht: Për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj si dhe njëherazi kërkuan dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.

– Pasi gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit, disponoi si vijon lidhur me kërkesat e parashtruara nga ana e mbrojtësve të zgjedhur të të hetuarit Sali Berisha:

Lidhur me kërkesën për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, gjykata ka disponuar me vendim në seancën e shkuar gjyqësore të datës 24.10.2023, me të cilin është pranuar kërkesa e tyre për njohjen me aktet dhe njëkohësisht të marrin kopje të tyre konform nenit 105,110 dhe 248, pika 1 e K.Pr.Penale.

Pranoi kërkesën për vënien në dispozicion të CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj, kundrejt tarifave respektive.

Rrëzoi kërkesën për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.

– Nga ana e mbrojtësve av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

– Gjykata njoftoi se në seancën e parë gjyqësore, në kushtet që nuk ishte në dijeni për zgjedhjen e një mbrojtësi nga ana e të hetuarit Sali Berisha, referuar listës së avokatëve kryesisht, urdhëroi njoftimin e avokatit Artan Simoni, duke i bërë me dije këtij të fundit që të paraqitej pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate për tu njohur paraprakisht  me aktet, në eventualitet që nga ana e të hetuarit Sali Berisha nuk do të bëhej zgjedhja e një mbrojtësi.

– Pas marrjes së mendimit të prokurorëve, në kushtet që 2 avokatët e zgjedhur nga ana e të hetuarit Sali Berisha, av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj  u larguan nga salla e gjyqit, bazuar në nenin 6, 48 dhe 248 të K.Pr.Penale, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, anëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, në mbrojtje të interesave të ligjshme të të hetuarit Sali Berisha.

– Gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.