Vizita

Avokatët e akredituar të Gjykatës Speciale nuk dinë asgjë për vizitën e prokurorit Jack Smith

Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, gjatë ditës së sotme ka ardhur për një vizitë në Kosovë.

Avokatët e akredituar të Gjykatës Speciale nuk janë në dijeni për arsyen e vizitës së prokurorit Special të Dhomave të Specializuara, Jack Smith.

Madje ata thonë se as nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht se prokurori Smith do ta vizitojë Kosovën.

Avokati Arianit Koci, ka thënë për lajmi.net, se vizita e prokurorit Smith mund të jetë vizitë protokollare, pasi që sipas tij, organet e sigurisë duke e përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë, janë të obliguar që ta mbështesin punën e Prokurorisë Speciale.

Tutje Koci ka thënë se, prokurori Smith nuk do ta lëshojë rastin që të marrë informata të nevojshme për ngritjen e aktakuzave, pasi që sipas tij, koha e ngritjes së aktakuzave të para është afër.

“Natyrisht, kryeprokurori nuk do ta lëshojë rastin që të marr informatat dhe shkresa që i nevojiten për ngritje të aktakuzave. Koha e ngritjes së aktakuzave është afër, dhe tani në finish të kësaj odisejade juridike,  aktivitetet e Prokurorisë dukshëm janë shtuar”, ka deklaruar Koci.

Edhe avokati Tahir Rrecaj, ka thënë për lajmi.net, se zyrtarisht nuk është i informuar për vizitën e prokurorit Jack Smith, por që sipas tij, një vizitë e tillë ka qenë e domosdoshme për shkak të vendosjes së kontakteve me institucionet e sigurisë në vend.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për vizitën e tij për ardhjen e tij. Paraprakisht nuk kemi pasur asnjë informacion, pra ishte një vizitë befasuese. Megjithatë është e drejtë e tij që të bëj vizita dhe ka qenë ndoshta edhe koha e fundit që të bëj një vizitë të tillë në Kosovë për shkak se është një kohë e gjatë që Gjykata Speciale edhe Prokuroria po ashtu edhe avokatët të cilët janë të akredituar janë në pritje të funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Sigurisht ka ardhur që ti vë kontaktet me organet e sigurisë dhe me institucionet dhe liderët politik sepse besoj që brenda një kohe jo të gjatë do të ngritën aktakuzat e para kështu që ka qenë e nevojshme që të vihen kontaktet nga Prokuroria me institucionet ndërkombëtare edhe vendore edhe me organet e sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Rrecaj.

As avokati Kadri Osaj, i cili është i akredituar nga Gjykata Speciale, thotë se nuk ka asnjë informacion në lidhje me vizitën e prokurorit Smith.

Ai ka thënë për lajmi.net, se nuk e di nëse vizita e prokurorit Smith ka të bëj me ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale.

“Megjithatë në lidhje me prokurorin nuk kemi asnjë informacion se a ngritën aktakuzat apo jo. Asnjë informacion nuk kemi”, ka deklaruar Osaj, i cili shtoi se, deri më tani është krijuar një grup punues për përpilimin e një kodi të etikës të prokurorëve dhe se sipas tij, akoma nuk është bërë asnjë takim për  ta diskutuar këtë draft-projekt.