taksë 100%

Avni Arifi tregon a do të hiqet taksa ndaj Serbisë

Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka folur rreth kërkesës së shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini dërguar Qeverisë së vendit tonë për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Mogherini në një letër sot dërguar kryeministrit Haradinaj kërkon suspendimin  deri të hënën të tarifës ndaj Serbisë, në mënyrë që BE-ja të ofrojë zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosovo*.

Arifi në një postim në Facebook sqaron se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk kanë bërë asnjë ndryshim në politikën e saj, as ndaj taksës, as ndaj qëndrimeve tjera që lidhen me statusin apo me gjitha temat aktuale për të cilat flasim.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës pothuajse në baza ditore komunikon me Brukselin në forma të ndryshme, me letra, në formë telefonike apo edhe në takime të drejtpërdrejta. Në të gjitha takimet ka letra të rëndësishme ka dokumente të rëndësishme.  Sa i përket pyetjes për letrën e Mogherinit qe sot pothuajse çdo medium ka pas pyetje – nuk mund ta komentojmë përmbajtjen e saj e as përmbajtjen që kryeministri Haradinaj ia ka kthyer, sepse nuk besoj se i ka mbërri zonjës Mogherini, por çka mund të konstatojë është se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk kanë bërë asnjë ndryshim në politikën e saj, as ndaj taksës as ndaj qëndrimeve tjera që lidhen me statusin apo me gjitha temat aktuale për të cilat flasim.

Ndryshe, në letrën drejtuar kryeministrit të Kosovës, Mogherini ofron mes tjerash që emërtimi UNMIK në CEFTA të zëvendësohet me Kosova*, por kërkon që si shenjë e vullnetit të mirë, para datës 17 dhjetor kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, vendi ynë përkohësisht të suspendojë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina.