Avni Arifi, Shef i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, ka thënë se dialogu i kushtëzuar nuk sjell marrëveshje të respektuar.

Ai ka thënë se Kosova nuk e ka kushtëzuar në asnjë moment dialogun me Serbinë, ndonëse 20 vjet më parë ka dalë e përgjakur dhe e lënduar nga lufta.

“Kosova nuk e kushtëzoj dialogun– as kur askush në Serbi nuk u dënua për 13.000 Shqiptarët e vrarë– as për 20.000 Shqiptaret e përdhunuara,– as për 130.000 shtëpitë e djegura e as për 1000.000 Shqiptarët e dëbuar dhe– as për torturimin e 550000 shqiptarëve në periudhën 1981-1997 (burimi amnesty I)”, ka shkruar Arifi në Facebook.

“Askush nuk u dënua dhe askush nuk kërkoj falje për këto dhe shumë akte dhe politika makabër dhe pastër krime kundër njerëzimit. Të kushtëzohet sot dialogu nga ana e Serbisë për shkak të tarifave dhe mirëkuptimi potencial i kujtdo për këtë kushtëzim është akt i habitshëm dhe pa pikë etike. Dialogu i kushtëzuar është çdo gjë por jo dialog që sjell marrëveshje të respektuar”, ka shtuar ai.

Arifi ka drejtuar një kohë Ekipin Dialogues për Bisedime me Serbinë. Ai sot është dekretuar ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe. /Ballkani.info/