Avdyli: Nuk do ta votoj rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli tha se do të votojë kundër rrëzimin të Qeverisë dhe se për këtë vendim merr përgjegjësi.

Ai tha se mocioni është i ngutshëm dhe duhet të shtyhet.

“Mocioni është i nxituar dhe duhet të shtyhet. Para rrëzimit të qeverisë, para fatit personal të çdo politikani sot duhet të vendosim fatin e dy milionë qytetarëve, fatin e nënave dhe baballarëve tanë, të cilët në këto momente mund të jenë të infektuar, dhe mund të infektohen nga pandemia. Sot duhet të vendosim fatin e mijëra qytetarëve tanë, të cilët janë të papunë dhe do të rrinë pa paga në shtëpitë e tyre. Mendoj se nuk duhet që ky vend të bëjë salto mortale-politike që të rrëzojmë një qeveri pjesë e së cilës është edhe LDK-ja me ministra të suksesshëm, të cilët kanë marrë masa shumë të suksesshme për menaxhimin e pandemisë. Mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike e ato kushte demokratike janë edhe atëherë kur kemi mundësi për zgjedhje. Prandaj unë sot votoj kundër mocionit dhe marrë përgjegjësinë personale dhe politike”, ka deklaruar Avdyli.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është iniciuar nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.