Kryeministri i vendit Avdullah Hoti është drejtuar në objektin qeveritar ku zyrtarisht do të marrë postin e shefit të ekzekutivit.

Hoti shkurt tha se si kryeministër i vendit po ndihet shumë mirë. “Po ndihem mirë, një ditë e zakonshme pune.

E kemi një program qeverisës dhe do të vazhdojmë me të”, tha Hoti kur u pyet për punën e parë që do ta bëjë si kryeministër.

Pas votimit të djeshëm në Kuvend me 61 vota, Hoti i LDK’së mori detyrën e re si shef i qeverisë së Kosovës. Mirëpo paraardhësi i tij Albin Kurti, nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës te njeriu të cilin ai e kishte shkarkuar.

“Nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, pasi nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që u dorëzua edhe te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”, tha Kurti dje.