Avdullah Hoti: Integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shkruan se mori pjesë virtualisht në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Aty sipas Hotit u fol për zhvillimin e botës digjitale dhe se si Kosova po angazhohet për relizimin e agjendës evropiane.

Kryeministri beson se pas zotimeve në samitin e Sofjes së javës së kaluar do ndodhë integrimi i tregut si hapi i parë i pajtimit politik të rajonit.

Sipas tij qëndrueshmëria ekonomike është kyqe për zhvillim afatgjatë dhe integrim në BE.

Ky është postimi i tij i plotë:

Integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit.

Sot mora pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ‘’Vjena, dialogu për të ardhmen 2020’’ me moton ‘’Ekonomia takon politikën në botën digjitale’’.

Në këtë forum u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit. Përkundër pandemisë Covid-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Besoj fuqishëm se pas zotimeve në Samitin e Sofjes, javën e kaluar, integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit. Qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyqe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në BE të gjithë rajonit.

Kosova është e vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe presim qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik.