Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, i është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh, në të cilin tregon të kaluarën e partisë së tij dhe atë çfarë do të bëjë gjatë qeverisjes së tij.

Hoti është shprehur se qeverisja e tyre do të sjellë zhvillim, shëndetësi e arsim cilësorë, mirëqenie për të gjithë, sundim të ligjit dhe forcim të shtetit të Kosovës.

Kandidati i LDK-së, pos tjerash është shprehur se sot kur demokracia e fjala e lirë po rrezikohen, do ta dëshmojnë se demokracia fiton gjithmonë ndaj autokracisë.

“Para 30 vitesh, gra e burra patriotë të luftës dhe lapsit të organizuar nga Lidhja Demokratike e të udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova e projektuan këtë shtet të pavarur dhe demokratik. E organizuan jetën, e krijuan shtetin, rezistuan dhe luftuan për të shkrimtarë e ushtarakë bashkë. Para 20 vitesh ne përjetuam luftën e tmerrshme, të dhimbshme por edhe heroike dhe ia dolëm sot së bashku, e fituam lirinë e shumëkërkuar, e ndërtuam shtetin tonë të pavarur. Tani jemi në paqe, por njësoj si atëherë kemi nevojë për patriotizëm, ky patriotizëm sot është përkushtim ndaj shtetit dhe qytetarëve, qeverisje që sjellë zhvillim e punësim, shëndetësi e arsim cilësor, mirëqenie për të gjithë, sundimi i ligjit dhe forcimi i shtetit të Kosovës. Sot kur demokracia dhe fjala e lirë po rrezikohen, kur po nëpërkëmbet parimi elementar i shtetit demokratik së bashku do të dëshmojmë se demokracia gjithmonë fiton ndaj autokracisë”, ka thënë ndër tjerash, kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti.

Video-mesazhi i plotë: