Lamir Thaçi

AUV: Kosovarët të mos shqetësohen, ‘Milka Oreo’ me pjesë plastike s’është në tregun tonë

Agjencia e Ushqimit e Maqedonisë së Veriut gjatë ditës së premte ka njoftuar se çokollatat “Milka Oreo”, prej 37 gramësh po tërhiqen nga dyqanet për shkak të pranisë së pjesëve të plastikës.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, për Ballkani.info ka treguar se në Kosovë nuk është gjetur produkti i dyshimtë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar njoftimin nga RASFF datë 29.02.2024 NR 2024.1129 / Nr.664335 – Për Prezencën e fragmenteve (pjesëve të vogla) plastike në çokollatën me qumësht dhe me copa biskotash në produktin ‘’MILKA OREO’’ me orgjinë nga Polonia. Për prodhimet me (dt. skadimi 18.08.2024) me llot (OSK0934652). Menjëherë me datë 01.03.2024 është organizuar inspektimi tek operatori ekonomik importues distributor. I cili po ashtu ishte informuar nga vet prodhuesi për dyshimin (agjent fizik) në produkt. Nga gjurmimi i deritanishëm nuk është gjetur se produkti i dyshimtë sipas datës se Skadencës dhe Llotit të prodhimit ka hyrë në tregun e brendshëm”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se importuesi i ka tërhequr të gjithë sasinë tjetër nga tregu.

“Vetë importuesi ka tërhequr nga tregu një sasi tjetër e cila nuk është e lajmëruar apo përfshirë në sasinë si e dyshimtë. Kjo me qellim të eliminimit të dilemave për konsumatorin”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i AUV-it ka shtuar se ky institucion ka dhënë urdhëresat për vetëtërheqje nëse ka mbetur ndonjë sasi e produktit në treg.

“AUV ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në rast, duke dhënë të gjitha urdhëresat për vetë tërheqje nëse ka ndonjë njësi të këtij produkti në treg. Po ashtu edhe nga vetë importuesi distributor janë informuar pikat shitëse për verifikim të gjitha njësive që eventualisht mund të gjenden në rafte. Bazuar në këto veprime konform procedurave standarde të inspektimeve në raste të lajmërimit, konsumatori kosovar nuk ka nevojë për shqetësim. AUV vazhdon me monitorimin dhe kontrollet tek operatoret ekonomik”, ka thënë Thaçi për Ballkani.info. /Ballkani.info/