AUV

AUV-i kryen mijëra inspektime për Ligjin e Duhanit, s’shpëtojnë as sallat e dasmave

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shtuar inspektimin në restorante e salla të dasmave. Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Krahas inspektimit të kuzhinave nëpër sallat e dasmave, inspektorët e AUV-it po arrijnë ta mbikëqyrin edhe Ligjin e Duhanit, me ç’rast janë bërë mijëra inspektime e janë dhënë më shumë se 600 gjoba për lokalet e gastronomisë

Thaçi thotë se në bazë të inspektimeve, ato i plotësojnë kriteret për gatimin në kuzhinat e tyre.

“Në bazë të planeve nacionale për kontroll, sigurisht se pjesë e planit të kontrolleve janë edhe restorantet dhe sallat e dasmave dhe sigurisht rritet frekuenca e kontrolleve tek këto. Shumica prej tyre kanë kapacitete mirë të organizuara dhe kanë pajisje në aspektin teknik sanitar dhe higjenik që i plotësojnë kriteret për gatimin në kuzhinat e tyre në bazë të vlerësimeve të inspektorateve, aty ku ka pas nevojë për të dhënë vërejtje janë dhënë nga inspektoratet dhe aty ku është kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i tyre janë dhënë afatet kohore ligjore dhe mbahen të mbikëqyrura, në të njëjtën kohë ne përveç kontrolleve, kohë pas kohe merren edhe mostra për testime laboratorike për të vërtetuar sigurinë e produkteve që shërbehen në të gjitha lokalet e gastronomisë”, thotë Thaçi, teksa mohon të ketë pasur raste që nuk përgjigjet kushteve për konsum.

“Deri më tani nuk kemi pas ndonjë rezultat që ka dalë që nuk i përgjigjet kushteve për konsum, të gjitha kanë rezultuar brenda parametrave të lejuara por kurdo në çdo moment që do të kemi ndonjë rezultate, atëherë gjithmonë pason shkalla tjetër e vendimit që përcakton të kemi ndalim të përkohshëm të veprimtarisë por edhe kontrolle shtesë për të mbikëqyrë prodhimet e kuzhinës si produkte ushqimore të gatshme për konsum finale dhe pastaj është ekipi inspektues ai që vendos se në cilat hapa do të shkojë për t’i evituar problemet që mund të paraqiten”, thotë tutje ai.

Në kuadër të inspektimit të sallave të dasmave dhe restoranteve, inspektorët e AUV-it po e mbikëqyrin edhe Ligjin e Duhanit në hapësirat e mbyllura. E për këtë janë shqiptuar edhe gjoba.

“Prej kohës kur ka dhënë urdhër ministri (Faton Peci) që të kemi një frekuencë të shtuar për kontroll të Ligjit të Duhanit, është rritë frekuenca dhe brenda një periudhe kohore janë mijëra kontrolle zyrtare dhe monitorime që janë kryer për zbatim të këtij ligji. Prej tyre kanë pasuar më shumë se 600 gjoba për lokalet e gastronomisë, kontrollet po vazhdojnë dhe në të gjitha rastet inspektori gjatë kontrolleve të rregullta zyrtare e ka parasysh që duhet të kontrollojë edhe mbikëqyrjen apo zbatueshmërinë e ligjit të duhanit në hapësira të mbyllura”, u shpreh ai.