Autoritetet spanjolle do t’i konfiskojnë 26 milionë eurot që Barça ia ka borxh Neymarit

Këtë javë u zbulua se autoritetet e taksave në Spanjë janë duke ia kërkuar Neymarit 35 milionë euro, për shkak të mospagimit të taksave gjatë kohës sa ishte pjesë e Barcelonës. Për shkak të kësaj, autoritetet spanjolle kanë vendosur t’i konfiskojnë paratë që Barcelona ia ka borxh brazilianit.

Neymari e kishte paditur klubin katalonas për 35 milionë eurot që ishin të përfshira në rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën në vitin 2016.

Klubi katalonas ia pagoi atij nëntë milionë euro në momentin kur përfunduan negociatat, ndërsa pjesa e dytë duhet të paguhej më 31 korrik të vitit 2017.

Këtë shumë Neymari nuk e mori kurrë pasi që katalonasit ishin të bindur se ai do t’i bashkohej PSG-së, siç ndodhi dy ditë më vonë. Ndërkohë, Barcelona pretendon se nëntë milionë eurot që ata i paguan duhet t’i kthehen pasi që ato ishin në rast se Neymari qëndronte në Camp Nou deri në fund të kontratës, që mbyllej në qershor të vitit 2022.

Gjykata spanjolle pritet ta caktojë një takim mes klubit dhe lojtarit së shpejti për këtë shumë parash. Natyrisht, e gjitha kjo komplikohet nga mundësia e kthimit të 27-vjeçarit në Camp Nou.

Por, jo vetëm e ardhmja sepse pagesa e bonuseve janë problemet me të cilat po përballet braziliani. Së fundi, Neymari po përballet edhe më akuza për përdhunim nga një modele braziliane, Najila Trindade, në një hotel në Paris dhe për momentin është nën hetim nga sistemi i drejtësisë në Brazil.

Për më tepër, braziliani nuk e ka ende të qartë as të ardhmen e tij. Ai e dëshiron kthimin në Camp Nou, por mbi të gjitha e do largimin nga PSG-ja. Për këtë arsye, dje u raportua se ai i kishte kontaktuar edhe Real Madridin, Juventusin, Bayern Munichun dhe Manchester Unitedin.