Autoritetet kapin rreth 16.5 ton kokainë në SHBA, arrestohet një serb (VIDEO)

Në portin e Filadelfias, autoritetet kanë kapur rreth 16.5 ton kokainë. Për drogën e kapur është arrestuar edhe një shtetas serb.

Në një prononcim për media, William McSwain nga policia federale ka thënë se kjo sasi e drogës së kapur është një ndër më të mëdhajat në historinë e SHBA-së.

“Kjo sasi e madhe do të kishte mundësi të mbyste miliona jetë njerëzish”, ka deklaruar ai, transmeton Ballkani.info.

Sipas prokurorisë, e gjithë sasia e drogës do të sillte miliarda dollarë fitime pasi që të shitej në rrugë.

Sipas ‘NBC News’, sasia e drogës ishte fshehur në shtatë kontenierë të anijes ‘MSC Gayane’. Kjo anije më herët kishte zbarkuar në Kili, Panama dhe Bahama, kështu që dyshohet se Filadelfia ka qenë vetëm një stop i radhës për në Evropë.

Bazuar në raportimet në media, njëri nga të arrestuarit ka deklaruar se vetëm e ka ndihmuar transportin e drogës, punë për të cilën është paguar 50.000 dollarë.

Ngjarja ka ndodhur para tre ditëve në portin e Filadelfias. /Ballkani.info