Greqi

Autoritetet greke tentojnë një “lëvizje taktike”, vendosin në një qeli shqiptarin e grekun vrasës

Autoritetet greke kanë marrë një vendim të çuditshëm në lidhje me qëndrimin në burg të dy të rinjve që akuzohen për vrasjen e të resë greke Eleni Tapaludhi, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në ishullin e Rodosit në Greqi.

Shqiptari Aleksandër Luca dhe greku Manolis Koukouras janë vendosur në të njëjtën qeli të burgut të Grevenasë. Fillimisht 19 vjeçari dhe 21 vjeçari grek qëndronin jo vetëm në qeli të ndryshme, por edhe në burgje të ndara.

Pas ngjarjeve të fundit, ku i riu shqiptar u dhunua nga të burgosurit në qeli, autoritetet kanë vendosur që t’i sjellin në një qeli të përbashkët Lucën dhe mikun e tij grek.

Të dy të rinjtë ndodhen të izoluar nën masa të rrepta sigurie dhe sipas asaj që kanë thënë gardianët, duket se dy miqtë nuk kanë asnjë problem me njëri- tjetrin, madje kanë relata të mira.

Kujtojmë se pak ditë më parë ekspertiza konkludoi duke u shprehur se në hekurin e përdorur për të goditur në fytyrë të renë greke, janë gjetur shenjat e gishtërinjve të shqiptarit. Por me daljen e këtij fakti, hetuesit sërish janë të dyshues pasi shenjat e gishtërinjve të shqiptarit jo domosdo mund të tregojnë e faktojnë se është ai personi që vrau shtetasen greke.

Ndërkohë që sjellja në qeli e dy miqve që vranë të renë, mund të jetë dhe një taktikë e hetuesve për të parë nëse mund të dalin të tjera fakte që të hidhet edhe më shumë dritë mbi vrasjen e 20 vjeçares. Dy fakte mbeten ende të pazgjidhura nga hetuesit, kush e goditi vajzën dhe kush ishte ai që mori vendimin për ta hedhur në det trupin e saj.