S.K., me nënshtetësi turke, u vra rreth një javë më parë në lagjen Dardania të Prishtinës. I dyshuari për vrasjen është bashkëkombasi i tij Yildirim Atila. Krimi ndodhi brenda veturës, në të cilën viktima ishte ulur përpara, ndërsa dorasi kishte shtënë nga prapa. Më pas revolen e kishte hedhur në një kosh plehrash.
Dorasi ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe akoma ndodhet në arrati, ai po kërkohet për dy veprat penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se po punohet intensivisht për kapjen e tij
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se aktualisht i dyshuari ndodhet në arrati, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar intensivisht për kapjen e tij”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Express.
Por, si ndodhi vrasja?
Policia ka njoftuar se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Pak orë pas ngjarjes, policia publikoi identitetin e të dyshuarit me qëllim arrestimin e tij.








