Autobusi me kosovarë u sulmua në Serbi, reagon MPJ

Të hënën në mbrëmje është sulmuar me gurë një autobus me udhëtarë kosovarë që po shkonin nga Kosova në Austri. Sulmi është bërë në Krushevc të Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar pas këtij sulmi, ata për Express kanë thënë se presin që organet e rendit në Serbi të marrin masa kundër autorëve të këtij sulmi.

Nga MPJ kanë thënë se shprehin për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike -burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Republikës së Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Europës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht. Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti. Shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata”, kanë thënë nga MPJ.

Ata kanë shtuar se lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Kjo ministri thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë shtetit fqinj respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të Lirisë së Lëvizjes”, kanë theksuar nga MPJ