Austria liron masat, por jo për të pavaksinuarit

Austria i ka dhënë fund izolimit për personat e vaksinuar, tri javë pasi ashpërsoi masat për të parandaluar ngritjen e madhe të rasteve me koronavirus. Me lirimin e masave janë hapur dyqanet, teatrot dhe muzetë.

Disa rajone kanë hapur, restorantet dhe hotelet gjatë së dielës, ndërkaq rajonet me më shumë të infektuar do të duhej të prisnin deri në muajin janar për hapjen e restoranteve. Në të gjitha qytetet do të ketë orë policore pas orës 23 dhe njerëzit do të duhej të mbanin maskat në transportin publik dhe brenda hapësirave të brendshme. Kancelari Karl Nehammer gjatë javës së kaluar ka thënë se hapja do të jetë graduale.

Personat e pavaksinuar në Austri ende janë cak i masave të reja dhe do të mbesin të izoluar në shtëpi. Që prej fillimit të pandemisë numri i rasteve të reja është ngritur ndjeshëm në Austri. Të premten, Austria ka raportuar për 365 raste në 100 mijë banorë, shifër më e ulët sesa në muajin nëntor, mirëpo numri i të shtruarve në spital shkaku i koronavirusit ende nuk ka nisur të bjerë.