Autoritetet austriake kanë urdhëruar mbylljen e dy xhamive në Vjenë, njëra që teknikisht ishte organizatë, të cilat sulmuesi shqiptar i kishte frekuentuar vazhdimisht dhe që kanë ndihmuar në radikalizimin e tij, ka bërë të ditur ministrja e Integrimit, Susanne Raab.

Autoritetet austriake kanë pranuar të premten se kanë bërë “gabime të patolerueshme” në menaxhimin e inteligjencës në lidhje me xhihadistin, i cili vrau katër persona të hënën në Vjenë.

Austria ka njoftuar se ka mundur ta konsideronte atë si kërcënimin më të madh dhe ta monitoronte më afër.

Ministri i Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, në një konferencë për media ka konfirmuar se shefi i Agjencisë së inteligjencës për qytetin e Vjenës ka dhënë dorëheqje të përkohshme, derisa të zhvillohen hetimet në lidhje me rastin.

“Natyrisht se nga këndvështrimi ynë janë bërë gabime të patolerueshme”, ka thënë Nehammer.

Austria kishte pranuar informacione nga Inteligjenca e Sllovakisë se 20-vjeçari shqiptar, i cili u vra nga policia gjatë sulmit të tij në kryeqytetin austriak, kishte tentuar të blinte armatim në këtë shtet.

“Disa persona në Gjermani që po monitoroheshin nga Inteligjenca gjermane gjatë verës kanë qëndruar në Austri dhe janë takuar me të”, ka thënë shefi i policisë së Vjenës, Gerhard Puerstl.

“Këto fakte bashkë me gjetjet nga informacionet sllovake kanë mundur të na krijonin një tjetër rezultat sa i përket vlerësimit të kërcënimit nga kryerësi i saj”, ka shtuar ai.

Nehammer ka thënë se vlerësimet e tilla të kërcënimit do të rishikohen për t’u siguruar se kanë qenë masat e duhura të monitorimit.

Austria ka urdhëruar mbylljen e dy xhamive në Vjenë, njëra që teknikisht ishte organizatë, të cilat sulmuesi shqiptar i kishte frekuentuar vazhdimisht dhe që kanë ndihmuar në radikalizimin e tij, ka bërë të ditur ministrja e Integrimit, Susanne Raab.

Austria ka arrestuar 15 persona në lidhje me sulmin. Një gjykatë në Vjenë ka urdhëruar që tetë nga të dyshuarit e moshave 16 deri në 24 vjet të mbesin në paraburgim. “Ata dyshohet se kanë kontribuar në vrasje, i përkasin një organizate terroriste dhe se kanë përkrahur sulmuesin para sulmit”, ka thënë gjykata, duke shtuar se vendimi për paraburgim është i ligjshëm deri më 20 nëntor.

Ndërkaq në Gjermani policia ka bastisur shtëpitë dhe bizneset e katër të dyshuarve që besohet se kishin lidhje me sulmuesin shqiptar në Vjenë.

Policia gjermane ka bërë të ditur se hetimet fillestare kanë treguar se katër të dyshuarit nuk kanë marrë pjesë në sulmin e Vjenës, porse kanë pasur lidhje me shqiptarin nga Maqedonia Veriore, Kujtim Fejzullai.

Bazuar në gjetjet nga bastisjet e ndërmarra në afërsi të qyteteve Kassel dhe Hamburg, të dyshuarit kishin kontaktuar me Fejzullain nëpërmjet internetit dhe ishin takuar me të. Në bastisjet e së premtes nuk është arrestuar asnjëri nga katër të dyshuarit. Ndërkaq edhe Zvicra ka arrestuar dy burra, të cilët sipas autoriteteve, e njihnin Fejzulain.

Në Holandë, policia ka arrestuar një adoleshente në Rotterdam me dyshimet se ka kërcënuar një mësues, i cili iku pas diskutimeve në lidhje me vrasjen e mësuesit francez, Samuel Paty. Nuk është e qarë nëse 18-vjeçarja ishte nxënëse e shkollës së mesme Emmauscollege në Rotterdam.

Shkollave në Holandë, Francë dhe Gjermani u është kërkuar që të mbajnë një minutë heshtje për mësuesin Paty, të cilit iu pre koka nga një adoleshent me prejardhje çeçene, për shkak se kishte shfaqur para nxënësve të tij karikaturat e profetit Mohamed, të botuara nga revista saterike “Charlie Hebdo”.

Gjatë debatit në njërën prej klasave në Emmauscollege, nxënësit vërejtën një karikaturë satirike që ishte varur në dërrasën e njoftimeve dhe shumë prej nxënësve janë shprehur të fyer. Karikatura që fitoi çmimin kombëtar në vitin 2015 shfaqte figurën e një “Charlie Hebdo”-je me gjuhën e nxjerrë jashtë në drejtim të një burri me mjekër e shpatë të gjakosur.

Të enjten një shkollë në Den Bosch kishte bërë të ditur se mësuesit e saj kanë qëndruar në shtëpi pas incidenteve të ngjashme.

Rasti i Rotterdamit është kritikuar nga deputetët holandezë që kanë ndezur debat të gjerë politik. “Është shqetësuese se tentimet tona për të promovuar lirinë e shprehjes kanë shpënë në trazira madje edhe kërcënime nëpër shkollat e Rotterdamit dhe Den Boschit”, ka thënë ministrja e arsimit, Arie Slob. “Poshtërimi i mësuesve nuk mund të tolerohet në asnjë mënyrë”.