Austria i dhuron SHSKUK-së pajisje mjekësore e material shpenzues

Ambasada e Austrisë në Prishtinë i ka dhuruar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës donacion me pajisje mjekësore dhe material shpenzues.

Ambasadori Botschafter Christoph Weidinger tha se pajisjet janë dhuruar nga spitali i Landit Shtajrmark me iniciativë të Shoqatës miqësore austriako-kosovare.

Ai foli edhe për mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën në mbrojtje nga pandemia COVID-19.

“Kemi mundësinë që t’i dorëzojmë ministrit Latifi donacionin me pajisje medicinale, të cilat janë dhuruar nga spitali i Landit Shtajermark e cila është bartëse e spitaleve publike të këtij landi… Donacioni është një iniciativë e Shoqatës miqësore austriako-kosovare në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe KFOR-in austriak bëhet fjalë për pajisje medicinale, ndër to janë edhe shtretërit për trajtim intensiv, defibrilatorë, monitorë për mbikëqyrjen e gjendjes së pacientëve etj., që të arrijnë sigurt në Kosovë. Këtë e ka mundësuar Armata austriake me mbështetjen e kontingjentit austriak të KFOR-it”, tha ai.

Arbër Marku, sekretar i Shoqatës së miqësisë austriako-kosovare uroi që ky projekt të jetë vetëm fillimi i shumë projekteve në interes të popullit të Kosovës.

“Shoqëria jonë e miqësisë, të cilën e themelova së bashku me eurodeputetin austriak Lukas Mandl dhe Magister Fehlinger, të cilët tani e drejtojnë së bashku me sipërmarrësin austriak Manfred Brandner, mund vetëm të ndërmjetësojë dhe të koordinojë. Duhen njerëz me vullnet të mirë dhe institucione të forta që një projekt i tillë të realizohet realisht….qoftë ky projekt vetëm fillimi i shumë projekteve të përbashkëta në interes të popullit të Kosovës dhe në frymën e miqësisë sonë së përbashkët”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi falënderoi shtetin austriak për këtë donacion.

“Truri që e ka lëshuar Kosovën, por edhe ka lëshuar tokat shqiptare kudo që janë, mund të bëhen pjesë e zhvillimit tonë në mënyra të ndryshme… Përparimi akademik, shkollor, përparimi në bizneset e fuqishme dhe në Austri dhe kudo që botë e bën të mundshme të krijohet miqësi edhe përparimet politike në shumë shtete që ne po i shohim sot e mundësojnë edhe më shumë këtë miqësinë tonë globale me njerëzit. Falënderoj dhe siguroj të gjithë ata që e kanë bërë të mundshme këtë e që ato pengesat burokratike nëse ka pasur përpara, nuk ka më pas më”, tha ai.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi u shpreh se donacioni i sotëm përmirëson shërbimet mjekësore për pacientët kosovarë dhe se pajisjet do të shfrytëzon në mënyrë racionale.

“Ndihem i privilegjuar që pranoj një donacion me pajisje mjekësore dhe material shpenzues që shkon direkt në përmirësimin e shërbimeve për pacientët kosovarë, jam shumë i sigurt se sikurse nuk është takimi jonë i parë dhe donacioni i parë që populli i Austrisë bëri për popullin e Kosovës, sepse në këtë kohë sidomos kemi pasur shumë takime dhe donacione nga shteti juaj dhe jam i bindur se nuk do të jetë as donacioni i fundit për popullin dhe pacientët kosovarë”, tha Krasniqi.

Në ceremoninë e dhurimit të donacionit ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të kontingjentit austriak të KFOR-it.