Autoritetet austriake e kanë marrë në pyetje një oficer të pensionuar ushtarak, nën dyshimet se ka spiunuar për Rusinë për gati 20 vjet, ka bërë të ditur Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.
Ai, po ashtu, ka thënë se Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, ka thirrur në bisedë informative të ngarkuarin rus me punë, në lidhje me çështjen dhe se e ka anuluar një udhëtim në Rusi, të paraparë për 2 dhe 3 dhjetor.
“Kërkojmë informacione transparente nga Rusia”, ka thënë Kurz në një konferencë për gazetarë në Vjenë.
“Nëse dyshimet konfirmohen, rastet e tilla, pavarësisht nëse ndodhin në Holandë apo në Austri, nuk i përmirësojnë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurz.
Ai i është referuar dëbimit të katër agjentëve rusë nga Holanda në muajin prill, nën dyshimet se kanë planifikuar sulm kibernetik kundër Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë.
“Spiunimi rus në Evropë është i papranueshëm dhe dënohet”, ka thënë Kurz.
Si kundërpërgjigje, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thirrur menjëherë në bisedë informative Ambasadorin e Austrisë për të kërkuar shpjegime lidhur me akuzat, ka njoftuar agjencitë ruse të lajmeve.







