Australia prezanton kamionin e parë “hibrid plug-in” për zjarrfikësit

Canberra, kryeqyteti australian ka treguar armën e saj më të fundit për të luftuar zjarrin: një kamion zjarrfikës i avancuar me vlerë prej 925 mijë eurove (1.5 milionë dollarë australian) me teknologji hibride plug-in.

 I prezantuar këtë javë nga Agjencia e Shërbimeve të Urgjencës ACT, kamioni i zjarrfikësve përdor kryesisht energjinë e baterisë dhe thuhet se është “ridizajnuar nga themeli”. Një modul zgjerues i rrezes së vozitjes me naftë lejon që kamioni i zjarrit të vazhdojë kur bateritë e tij hargjohen.

Ndërsa rrezja e saktë e vozitjes nuk është bërë i ditur, Agjencia e Shërbimit të Emergjencave ACT pretendon se automjeti mund të mbarojë bateritë e tij vazhdimisht për dy orë, ose deri në gjashtë orë me gjeneratorin me naftë, shkruan Drive, përcjell Telegrafi.

Agjencia e shërbimeve të urgjencës pretendon se hibridi plug-in rezulton në një “reduktim të zhurmës, dridhjeve dhe emetimeve të CO2, ndërsa përmirëson sigurinë për zjarrfikësit”.

Kamioni gjithashtu përmban kamera dixhitale në vend të pasqyrave anësore, një rreth të ngushtë rrotullimi për manovrim në zona të ndërlikuara dhe një derë në nivelin e rrugës, e cila thuhet se zvogëlon rrezikun e rënies për zjarrfikësit që mbajnë pajisje të rënda.

Me kosto prej 925 mijë eurove (1.5 milionë dollarë australian) – afërsisht 50 për qind më shumë se një kamion konvencional i zjarrfikësve – ky kamion ka gjithashtu aftësinë të lëshojë një dron me imazhe termike nga çatia e saj, i cili mund të kontrollojë zonën për pika të nxehta.

Kamioni ka një rezervuar uji prej 1,500 litrash, por mund të pompojë deri 3,500 litra ujë në minutë duke përdorur pompën e tij elektrike atëherë kur lidhet me një burim uji.