Australia në rrezik nga gjarpërinjtë dhe krokodilët pas vërshimeve të fundit

Vërshimet në Australi rrisin rrezikun nga gjarpërinjtë dhe krokodilët

Qeveria australiane i ka paralajmëruar banorët e prekur nga vërshimet në pjesën lindore të vendit që të kenë kujdes të shtuar për shkak se gjarpërinjtë dhe krokodilët kanë dalë nga lumenjtë dhe tashmë mund të hasen edhe në zona të banuara.

Pas reshjeve të vazhdueshme që filluan para tetë ditëve, autoritetet e qytetit Townsville kanë qenë të detyruara t’i hapin rrethojat e lumit “Ross”, duke shkaktuar kështu vërshimin e dy mijë shtëpive. Ky vendim u mor pasi qeveria e publikoi një paralajmërim për rrezikun nga gjarpërinjë dhe krokodilët, të cilët dyshohet se kanë dalë nga lumi i trazuar.

Reshjet në disa pjesë të rajonit Queensland kanë arritur në 1.5 metra vetëm nga fundjava e kaluar. Në qytetin e Inghamit, vetëm për 24 orë ka rënë shi në sasi të 419 milimetrave. Rreth një metër shi ka rënë në aeroportin e këtij rajoni në tetë ditët e fundit.

Ekipet e emergjencës dhe vullnetarët po i vazhdojnë operacionet për tërheqjen e banorëve të prekur nga përmbytjet edhe gjatë ditës së sotme. Reshjet në pjesën veriore të rajonit Queensland tashmë e kanë kaluar nivelin e mesatares së zakonshme vjetore të reshjeve, shkruan “The Guardian”,