Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio hodhi poshtë pretendimet e agjentes dhe bashkëshortes, së Mauro Icardit, e cila tha se klubi zi kaltër dëshiroi ta shes sulmuesin argjentinas te Juventusi, ndërsa zbuloi se i kanë ofruar kontratë të re por që nuk është pranuar ende.

Agjentja e Icardit, Wanda Nara një natë më parë kishte deklaruar se bisedimet për arritjen e marrëveshjes për rinovimin e kontratës janë shumë larg, derisa shtoi se ishte bashkëshorti i tij që refuzoi kalimin te rivali i Interit, Juventusi, sepse sipas saj drejtuesit e 18 herë kampionëve të Italisë e kishin dhënë miratimin e tyre për këtë transferim.

Ausilio mohoi këto pretendime duke e kritikuar Wanda Naran.

“Ne jemi të lumtur me Icardin dhe për atë se çfarë tregon në fushë për Interin. Ai gjithmonë merr përgjegjësi dhe nuk frikësohet nga asgjë. Unë jam në zyrë çdo ditë dhe jam në dispozicion të secilit agjent. Agjentja e Icardit e di se ku mund të më gjejë, bisedat përmes rrjeteve sociale, apo nëpër televizione nuk më interesojnë. Icardi para dy viteve pati pranuar një ofertë për rinovimin, oferta e fundit për zgjatjen e kontratës ka qenë para dy muajve të cilën Mauro e ka refuzuar, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të vazhdojmë”, tha Ausilio.

Drejtori sportiv i Interit siguroi tifozët e “Nerazzurrëve” se kapiteni i skuadrës nuk do të largohet kurrë drejt Juventusit.

“Mund vetëm të qesh për pretendimet se ne dëshiruam ta shesim Icardin te Juventusi. Mund ta them me bindje të plotë se Icardi nuk do të shkojë kurrë te Juventusi, keni filluar të mirreni me këtë çështje nga disa përralla”, përfundoi Ausilio.

Icardi këtë sezon ka shënuar 13 gola me fanellën e Interit në të gjitha kompeticionet.