Auditori: Ministria e Ekonomisë pagoi rreth 94 mijë euro për 18 punonjës pa shkuar në punë

Ministria e Ekonomisë  e cila udhëhiqet nga Artane Rizvanolli gjatë vitit 2021 ka realizuar pagesa në vlerë 93 mijë e 435 euro për 18 punonjës, të cilët nuk evidentohen për vijueshmërinë në punë dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në këtë dikaster.

Kështu ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për Ministrinë e Ekonomisë për vitin 2021.

Ndonëse sipas ligjit, “gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës”, 18 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta, nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në këtë ministri.

Punësimi i këtyre 18 personave është bërë përmes vendimit të 22 korrikut të 2015-s, kur Qeveria e Kosovës kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”, shkruan Demokracia.com.

Sipas ZKA-së, të punësuarit nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 93,435€.

“Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezentë ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, ka vlerësuar Auditori.

Auditori thotë se pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmërinë në punë, konsiderohen “si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”.

“Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet më tej në raportin e ZKA-së

KËTU mund ta gjeni të plotë Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Ekonomisë./Demokracia.com/